Mbrojtja e Mjedisit Duke Recikluar. |
Jetojmë në një botë që ecën si e çmendur drejt industrializimit duke shkatërruar atë që nëna natyrë e ka ndërtuar për qindra e mijëra vjet dhe që është shumë më e domosdoshme dhe e shëndetshme për ne. Mjedisi, natyra dhe gjithçka e gjallë që na rrethon është pasuria më e madhe që kemi trashëguar, por që fatkeqësisht po e shpërdorojmë dhe po e shkatërrojmë pa dhimbje dhe pa e kuptuar se dashje pa dashje po prishim ekuilibrat biologjikë, po prishim të ardhmen tonë. Dhe efektet e shkatërrimit kanë filluar të ndihen kudo në ajër, në tokë dhe në ujra, temperaturat po rriten çdo vit, akujt shkrijnë, detrat gllabërojnë tokën pa mëshirë dhe me këto ritme ndoshta në një të ardhme jo të largët, bota s’do të jetë më një planet nënë, por një shterpë që nuk dhuron asgjë përveç një hapësire boshe dhe të frikshme. Efekti serrë ne e dimë që krijohet nga lëshimi në atmosferë i CO2 dhe i gazrave të tjera të dëmshme që nxjerrin fabrikat, uzinat, makinat dhe djegia e lëndëve prej plastike të cilat të hedhura vend e pa vend për t’u eleminuar digjen me idenë se e pastruam ambientin. Po në të vërtetë ç’kemi bërë? Pastrojmë nga njëra anë (në këtë rast tokën) dhe nga ana tjetër ndotim ajrin që vetë e thithim duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin por edhe natyrën. Unë dua një planet të pastër nga mbeturinat, nga ndotjet, nga papastërtitë, prandaj në këtë aspekt duhet të jemi të gjithë të vëmendshëm dhe ato t’i hedhim në vende të caktuara që pastaj ato të përpunohen dhe të riciklohen sepse vetëm kështu ato nuk përbëjnë rrezik për jetën tonë. Për mua riciklimi i ngjan një rrethi rrotull të cilit sillen si ëngjëj mbrojtës grumbullimi, shkrirja, përpunimi, dhe së fundmi prodhimi i një produkti të ri. Po të duan njerëzit, bota mund të marrë frymë lirisht nga papastërtitë dhe toka të jetë e lulëzuar pa asnjë mbetje mbi trup.
Fisnik Hyseni
28.05.2014
0 Komente:
Post a Comment